NBA, Cleveland rigjen rrugën e fitores

01/03/2016 00:00

Pas 2 disfatave radhazi, Cleveland rikthehet te fitorja duke mposhtur Indiana Pacers 100-96. Në parketin e Quicken Loans Arena ishte i pranishëm edhe LeBron James, që bëri një paraqitje të shkëlqyer duke e mbyllur këtë takim me 33 pikë.

Megjithatë sfida nuk ishte e lehtë për skuadrën nga Ohio, e cila u përball me një skuadër që nuk i la shumë mundësi të shkëputej. Në fund, ai që i dhuroi suksesin Cavaliers ishte Tristan Thompson, i cili në çastet e fundit fillimisht shënoi pikët e avantazhit në 96-94 për Cleveland dhe më pas bllokoi Stuckey në përpjekjen për të barazuar rezultatin.

Për Indianën, 28 pikët e Monta Ellis dhe 23 të Paul George shërbyen vetëm për të pasuruar statistikat e sfidës.

Miluoki mposht Houston Rockets 128-121. Në Harris Bradley Center ai që spikati për skuadrën e Bucks ishte Antetokumpo me 18 pikë, 17 topa në tabelë dhe 11 asiste. Houard dhe Harden dhanë  maksimumin në këtë ndeshje për Houston duke shënuar respektivisht 30 dhe 26 pikë, por nuk mundën dot që t’i jepnin fitoren skuadrës teksane që gjendet në vendin e tetë në Konferencën e Perëndimit me 29 fitore dhe 31 humbje.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Oklahoma mposhti Sacramenton 131-116, Memphis fitoi me Denver 103-96, Brooklyn humbi në Stapless Center ndaj LA Clippers 95-105, ndërsa Boston mundi Utah 100-95.

Top Channel