James e Isco “të padobishëm” për Realin

01/03/2016 13:40

James Rodrigues dhe Isco Alarcon duket se i kanë të numëruara ditët e qëndrimit të tyre te Reali i Madridit. Drejtuesit e klubit nuk e kanë fshehur zhgënjimin për rendimentin e këtyre dy futbollistëve në këtë sezon, gjë që kanë bërë që ata të konsiderohen si fajtorë të mëdhenj për krizën që ka mbërthyer klubin ‘Merengues’.

Për këtë arsye po mendohet që ata të dalin në merkato në fund të këtij sezoni dhe 13 ndeshjet e ardhshme do të jenë vendimtare për të ardhmen e tyre. Në ndeshjen derbi me Atletiko Madrid, si James, ashtu edhe Isco u shfaqën apatikë në fushën e lojës dhe kjo u pa edhe në momentin që Reali pësoi golin.

Zidane i zëvendësoi që të dy dhe fërshëllimat në drejtim të tyre nuk munguan. Sipas drejtuesve të Realit, pikërisht mungesa e karakterit kompetitiv dhe shpirtit të sakrificës janë problemet e këtyre lojtarëve që në momente të caktuara kanë arritur t’i fshehin duke shfaqur diçka nga talenti i tyre në fushën e lojës.

Në rast se kjo krizë e ‘Los Blancos’ do të vazhdojë dhe Isco e James nuk do të përmirësohen atëherë që të dy do të dalin në merkato dhe klubet që pretendojnë shërbimin e tyre nuk mungojnë.

Kolumbiani Rodrigez ka me Realin një kontratë deri në 2020 me një klauzolë prej 500 milionë Euro dhe sipas Tramnsfermarkt vlera e tij vazhdon të jetë 80 milionë euro.

Media britanike flet për një interesim të vëzhdueshëm të Manchester United që po përgatitet për ndryshime të mëdha sezonin e ardhshëm. Përsa i përket Iscos, spanjolli vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së Manchester City, por nuk mbetet më pak as Arsenali që kërkon ta afrojë atë në Emirates Stadium.

Reali e bleu Iscon në verën e vitit 2013 nga Malaga dhe kërkon ta shesë atë për të paktën 40-45 milionë Euro.

Ndërkaq, në Madrid po flitet edhe për zëvendësuesit e mundshëm të tyre dhe sipas asaj që publikohet te Marca, Zidane ka kërkuar blerjen e Hazard dhe Pogba.

Top Channel