Gianni Infantino nis punën me Botërorin 2026

01/03/2016 13:30

Presidenti i sapozgjedhur i FIFA-s, Gianni Infantino e nisi punën në detyrën e tij të re duke folur për procesin e zgjedhjes së vendit organizator të kampionatit botëror të vitit 2026.

Në fakt procedurat për këtë eveniment duhet të nisnin në vitin 2015, por u shtynë për shkak të skandalit të korrupsionit që shpërtheu në FIFA.

Sipas Infantinos ky proces pritet të rinisë shumë shpejt, ndërkohë që kreu i ri i FIFA-s foli edhe për Botërorët e 2018 dhe 2022, që do të mbahen në Rusi dhe Katar.

“Mendoj se në muajt e ardhshëm duhet të nisim procesin për zgjedhjen e vendit që do të presë Kupën e Botës të vitit 2026. Ndoshta mund ta nisim atë përpara Kongresit që do të mbahet në muajin maj. Përsa i përket Botëroëve të Rusisë dhe Katarit, vendimi u mor në vitin 2010 nga Komiteti Ekzekutiv, por që nga ai moment ka pasur spekulime dhe shumë zhurmë. Ajo që ne duhet të bëjmë është që në 2018 dhe në 2022 të organizojmë botërorët më të mirë në historinë e futbollit”, u shpreh ai.

Në muajt e fundit FIFA u detyrua të hapë hetime për procesin e zgjedhjes së Rusisë dhe Katarit për kampionatet botërorë të 2018 dhe 2022, proces ky që u vu edhe në qendër të hetimeve të drejtësisë zvicerane.

Top Channel