Zgjedhja e Thaçit, Mustafa i përgjigjet opozitës: Të ankohet në Kushtetuese

01/03/2016 13:30

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa i është përgjigjur akuzave të opozitës kosovare për mënyrën e zgjedhjes së presidentit të ri, Hashim Thaçi.

Mustafa ka deklaruar se për çdo dilemë që mund të kenë, partitë opozitare mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Ai ka thënë se procesi ka qenë transparent dhe kushtetues, ndërsa ka mohuar që t’i ketë bërë presion deputetëve të partisë së tij për ta votuar Thaçin president.

“Opozita mund t’i verifikojë akuzat e saj, askush nuk e ndalon. Mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Unë për vete kam qenë aty dhe kam parë një proces krejtësisht kushtetues, me pjesëmarrje të deputetëve, siç e kërkon Kushtetuta e Kosovës”, ka deklaruar Mustafa.

Mustafa ka folur për herë të parë edhe për riformatimin e kabinetit qeveritar, për të cilin ka thënë se do të konsultohet me partnerin e koalicionit, Partinë Demokratike të Kosovës.

“Po, sigurisht që ka dhe ne do ta shohim atë mundësi. Tani mbetet që të ulemi dhe të shqyrtojmë, të analizojmë edhe njëherë situatën dhe të marrim vendime”, ka thënë Mustafa.

I pyetur për sulmet ndaj zyrave të partisë që drejton, Mustafa ka pohuar se është e padrejtë që dhuna të përdoret si mjet për zgjidhjen e problemeve politike, ndërsa ka ftuar sërish opozitën që të kthehet në institucione.

Top Channel