Toro Rosso zbulon makinën STR11

01/03/2016 13:25

Toro Rosso prezantoi makinën e re të saj pikërisht ditën që nisën testet e dyta parasezonale të Formula 1 në Barcelonë.

E reja e kësaj makine për vitin 2016 është se ndryshe nga vitet e kaluara ajo do të garojë me motorët Ferrari, ndërkohë që pilotët janë të njëjtët, Max Verstappen dhe Carlos Sainz.

Piloti i ri spanjoll deklaroi se përshtypjet e tij të para për makinën ishin shume pozitive dhe se rezultatet në testet e para ishin të kënaqshme.

“Kemi punuar shumë dhe pikërisht falë kësaj pune ne arritëm që të shfaqesshim mirë në testet e para. Toro Rosso ishte skuadra e dytë pas Mercedes që zhvilloi më shumë xhiro në pistë javën e kaluar. Është diçka pozitive pasi e ndjemë menjëherë që mund të ishim të shpejtë”, tha Sainz.
Në të njëjtën linjë qëndron edhe 18-vjecari Verstappen, i cili sezonin e kaluar pati si rezultatin më të mirë arritjen e një vendi të katërt në garat e Formula 1.

“U argëtova në testet e para. Kur qëndron pushim për shumë kohë, mezi pret që të drejtosh sërish makinën e F1. Gjithçka shkoi shumë mirë dhe ne ishim të fokusuar kryesisht në përshkimin e sa më shumë xhirove për të kuptuar edhe sjelljen e makinës me motorin e ri. Ishin teste vërtet pozitive”, tha ai.

Top Channel