Presidenti i zgjedhur Thaçi jep dorëheqjen nga PDK

29/02/2016 00:00

Presidenti i zgjedhur i Kosovës, Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqjen nga të gjitha funksionet në qeveri dhe nga drejtimi i Partisë Demokratike të Kosovës.

Top Channel ka siguruar faksimilen e dorëheqjes së Thaçit, që mban datën 26 shkurt, pikërisht ditën kur ai u votua për President të Kosovës për një mandat 5-vjeçar.

Në letrën e tij të dorëheqjes, Thaçi ka shkruar se, e bën atë në funksion të respektimit të Kushtetutës së Kosovës, pasi – sipas nenit 88 të saj, – Presidenti nuk mund të ushtrojë më asnjë funksion publik apo partiak.

Dorëheqjen e tij, Thaçi ia ka paraqitur kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryeministrit Isa Mustafa, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Menjëherë pas paraqitjes së dorëheqjes nga të gjitha funksionet e tij, kryeministri Isa Mustafa, përmes një vendimi e ka pranuar dhe miratuar atë, duke e liruar kështu nga detyra e zëvendëskryeministrit të parë dhe nga ajo e ministrit të Punëve të Jashtme.

Nënkryetari i PDK-së, Adem Grabovci ka thënë përmes telefonit për Top Channel se, pasardhësi i Thaçit në parti do të zgjidhet shumë shpejt, sipas Statutit të partisë, ndërsa deri në zgjedhje, postin e kryetarit e ushtron zëvendëskryetari Kadri Veseli.

Siç ka raportuar Top Channel, në krye të PDK-së Hashim Thaçin pritet ta zëvendësojë Kadri Veseli, ndërsa në qeveri, si ministër i Jashtëm do të rikthehet Enver Hoxhaj, kurse si zëvendëskryeministër i parë pritet të caktohet Hajredin Kuçi ose Memli Krasniqi, që të dy nënkryetarë të PDK-së.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel