Raporti për “terrorizmin”, AKI: Asnjë rast në Kosovë. Ulet numri i xhihadistëve

29/02/2016 14:25

Drejtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës Agron Selimaj ka raportuar në Kuvend për dy rastet e fundit të dyshuara se kishin prapavijë terroriste, atë te manastiri i Deçanit ku disa të rinj u arrestuan me uniforma ushtarake dhe ngjarjen te xhamia e Drenasit, ku është gjetur një mjet i pashpërthyer.

Pas takimit me dyer të mbyllura, deputeti Rafet Rama tha se drejtori i inteligjencës i ka siguruar se asnjë rast nuk ka pasur motive terroriste.
 
“Rasti i Deçanit ka qenë një rast të cilët janë dalë në bjeshkë dhe aty janë parë dhe thjeshtë janë ndaluar nga Policia. Ndërsa rasti në Drenas, mund të ketë qenë edhe zgjedhjet përbrenda Bashkësisë Islame (BIK) dhe dikush prej njerëzve që e kanë lënë atë mjet aty, mas pak e kanë informuar Policinë e Kosovës”, tha Rafet Rama, deputet i PDK.

Zëvendëskryetarja e Komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së, Duda Balje tha se gjatë raportimit e kanë pyetur Selimajn edhe për zhvillimet e fundit në vend dhe kosovarët që luftojnë në organizatën terroriste ISIS.
 
“Sipas informatave të drejtorit, gjendja e sigurisë në Kosovë në këto momente është nën kontroll. Edhe numri i kosovarëve në luftën e Irakut po zvogëlohet me kohën”, tha Duda Balje, zv/kryetare e Komisionit Parlamentar, AKI.

Sipas deputetëve, kreu i Inteligjencës u ka premtuar se pas përfundimit të raporteve për zhvillimet e fundit në vend, ai do të shkojë sërish për raportim.
 

Top Channel