Spalleti: Qëndroj te Roma për të fituar

29/02/2016 13:45

Roma e ka rimarrë veten me ardhjen në pankinë të Luciano Spaletit. Tashmë verdhekuqtë e shohin veten plotësisht në garë për një vend në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm, por trajneri italian ka ambicie akoma më të mëdha dhe këtë ua ka bërë të qartë edhe drejtuesve të Romës në një intervistë për median italiane.

“Nëse do të qëndroj te Roma edhe sezonin e ardhshëm, dua të kem mundësitë për të fituar titullin kampion në Itali. Vendin e dytë e kam provuar disa herë. Dua që Roma të jetë pjesë e atyre ekipeve që do të luftojnë për triumfin final”, ishte mesazhi i Spaletit.

Trajneri nuk kërkon aspak justifikime dhe thotë se ajo që i mungon ende skuadrës romane është forca mentale: “Këtu është krijuar ideja që nuk mund të punohet, është një alibi dhe është armikja jonë kryesore. Skuadra i ka mundësitë dhe lojtarët cilësorë për të bërë një punë të mirë. Ajo që na mungon ende është forca psikologjike që përbën edhe diferencën mes një fituesi real dhe një fituesi të mundshëm. Pa dialog nuk ka njohuri. Njerëzit duhet të dyshojnë në ato që thua dhe jo në ato që bën”.

Top Channel