“Shok” mes të mëdhenjve

29/02/2016 08:40

Me gjithë vlerësimet e larta nga kritikët, filmi kosovaro-britanik “Shok” nuk fitoi çmimin Oscar në kategorinë e filmave të shkurtër, ku ishte nominuar. Por ky film ka shënuar histori në kinematografinë shqiptare, duke qenë i pari i nominuar nga Akademia Amerikane, përmes të cilit bota ka dëgjuar edhe një herë për dramat e luftës në Kosovë.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve është ndjekur me emocione të forta në Prishtinë jo vetëm nga qytetarë te mbledhur në “Sallën e Kuqe”, por edhe nga pjesa e ekipit realizues që nuk udhëtoi në Los Anxheles.
 
Aktorja Adriana Matoshi u shpreh: “Nuk do të thotë që jam e dëshpëruar ose e mërzitur, se të arrihet deri aty ku ka arritur filmi “Shok” është ëndërr jetësore”.

Për asistenten e parë të regjisë, Blerta Basholli, vetë prezenca e Kosovës në Oscar është arritje për shqiptarët: “Është një arritje shumë e madhe, të shihen aktorët shqiptarë prej kinematografëve të të gjithë botës”.

Në tapetin e kuq parakaluan regjisori Jamie Donoughue, producentët Eshref Durmishi dhe Harvey Ascott dhe protagonistët Lum Veseli dhe Andi Bajgora. Përkrah artistëve, gjatë ceremonisë ka qëndruar edhe presidentja Atifete Jahjaga.

“Edhe pse nuk u fitua çmimi Oscar, të gjithë artistët do të kthehen si fitues për ne, për Kosovën”, tha Jahjaga.

“Shok”, me regji të Jamie Donoughue, është fitues i shumë çmimeve të rëndësishme, përfshirë drama më e mirë në “Aspen Film Festival”.

Lista e plotë e fituesve:

Filmi më i mirë: Spotlight

Aktori më i mirë: Leonardo DiCaprio (The Revenant)

Aktorja më e mirë: Brie Larson (Room)

Aktori më i mirë joprotagonist: Mark Rylance (Bridge of Spies)

Aktorja më e mirë joprotagoniste: Alicia Vikander (The Danish Girl)

Regjisori më i mirë: Alejandro Inarritu (The Revenant)

Skenari më i mirë: Spotlight

Skenari më i mirë i përshtatur: The Big Short

Filmi më i mirë i animuar: Inside Out

Filmi më i mirë i huaj: Son of Saul (Hungari)

Kinematografia më e mirë: The Revenant

Kostumografia më e mirë: Mad Max: Fury Road

Dokumentari më i mirë: Amy

Montazhi më i mirë: Mad Max: Fury Road

Filmi më i mirë i shkurtër: Stutterer

Kolona zanore më e mirë: Ennio Morricone (The Hateful Eight)

Efektet vizuale: Ex Machina

Top Channel