“Shok” në pritje të Oscar

28/02/2016 00:00

Të gjithë shqiptarët i kane sot sytë nga Hollywood-i, ku në “Dolby Theatre” presin të marrin Oskarin e parë për një film ku jo vetëm flitet shqip, por që ka të bëjë me një nga dramat më të mëdha qe kane përjetuar shqiptarët në shekullin e 20-të, mizoritë serbe.

Filmi kosovaro- britanik “Shok”, ku për 21 minuta tregohet historia e bazuar mbi ngjarje të vërteta e miqësisë se dy fëmijëve në kohën e luftës në Kosovë, pret vleresimin në kategorinë e filmave të shkurtër. Për “Los Angeles Times”, “Shok” do të jetë fitues dhe kritika e shikuesit ia kanë dhënë tashmë vlerësimin.

Në tapetin e kuq mes figurave më të rëndësishme të filmit në botë, të pranishëm do të jenë regjisori Jamie Donoughue, producentët Eshref Durmishi dhe Harvey Ascott dhe protagonistët Lum Veseli dhe Andi Bajgora.

Aktorja Shengyl Ismajli, e cila është edhe e ëma e protagonistit të filmit Lum Veseli, nuk mund të fshehë emocionet pak orë para ndarjes së cmimeve.

“Po shkruhet një histori e re në kinematografinë kosovare dhe shqiptare. Jam shumë e lumtur që djali im Lumi është protagonist i filmit “Shok”, kështu që është gëzim i dyfishtë. I kam emocionet shumë të përziera. Minuatat nuk po ecin.”

Autori i kolonës zanore të filmit “Shok”, Trimor Dhomi është shprehur i lumtur që idea e tij muzikore, ku mes te tjerash ka edhe ninulla kosovare është pranuar nga regjisori. Si element i fuqishëm për garë, Dhomi e ka vlerësuar ndërtimin e skenarit.

“Një vepër që bëhet me studim dhe me kërkim që ka metodë, ka paramendim në secilën lëvizje, secilin hap që kemi bërë, nuk ka rrugdalje tjetër përvec që ajo vepër të kompletohet deri në atë masë ku i përmbushë të gjitha pikëpyetjet, nëse veç ka pasur rrugës”, thotë kompozitori Dhomi.

“Ky film për dramën njerëzore që e kaluam për të fituar lirinë, tashmë e ka fituar zemrën e botës dhe shpresoj që sonte do të sjellë Oscarin në Kosovë”, ka shkruar presidentja në detyrë Atifete Jahjaga në Facebook, duke uruar ekipin e filmit.

“Filmi ka hedhur dritë mbi një rrëfim të vërtetë tragjik nga historia jonë çlirimtare.” Thuhet në urimin e presidentit të sapozgjedhur, Hashim Thaçi.

Përmes Digitalb, Komuna e Prishtinës ka organizuar transmetimin e drejtpërdrejtë të ndarjes së çmimeve Oscar.

Top Channel