Man.United mposht 3-2 Arsenalin, derbin e vendos Rashford

28/02/2016 17:20

Manchester United ka fituar një derbi spektakolar ndaj Arsenalit 3-2, ku protagonist absolut ishte sërish talenti Marcus Rashford.

18-vjeçari shënoi dy gola brenda 3 minutave në pjesën e parë, ndërsa një “ish”, Daniel Welbeck, ngushtoi diferencën në 2-1 në minutën e 40.

Por, golat dhe spektakli në këtë takim nuk kishin përfunduar këtu. Madje, për ta bërë ndeshjen edhe më interesante mendon edhe trajneri holandez i “Djajve”, i cili në një rast shkon të kërkojë llogari te gjyqtari i katërt për një faull të paqenë në favor të Arsenalit. Fjalët nuk mjaftuan për t’ia shpjeguar, ndaj Van Gaal ia bëri më konkret simulimin e lojtarit kundërshtar, duke rënë në tokë.

Në minutën e 65-të, Rashford tregon se përveçse di të shënojë mund të dhurojë edhe asiste, këtë herë për Herrera-n, i cili e çoi rezultatin në 3-1.

Katër minuta më vonë, Arsenali ngushtoi sërish rezultatin me gjermanin Ozil, por vetëm kaq, pasi ndeshja nuk do të kishte më gola.

Me 3 pikët e këtij takimi, Manchester United i afrohet vendit të katërt, me 3 pikë diferenc nga City, por këta të fundit me një ndeshje më pak, ndërsa Arsenali përfundon në vendin e tretë me 3 pikë diferencë nga Tottenham, që fitoi 2-1 ndaj Swansea-s dhe 5 pikë nga vendi i parë, Leicester.

Top Channel