Vjen goli i parë amerikan për Gashin

28/02/2016 00:00

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare të futbollit, Shkëlzen Gashi ka shënuar golin e parë me ekipin e tij të ri, Colorado Rapids dhe ka dhënë edhe një asist në fitoren 3-0 ndaj Arizonës.

Në minutën e 31, Gashi arriti të marrë topin në një pasim të diskutueshëm dhe më pas gjeti korridorin e duhur për Kevin Doyle që shënoi golin e 2-0.

Momenti i festimit të Gashit erdhi në minutën e 63, kur 28-vjeçari shqiptar mori një pasim në të djathtë të zonës dhe pastaj për një sulmues goli si ai e pati një lojë fëmijësh për të çuar topin në rrjetë duke e kaluar madje përmes këmbëve të portierit për të festuar më pas me shokët e skuadrës.

Gjithsesi vlen të theksohet se bëhet fjalë për një turne miqësor në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri të Major League Soccer, që starton në 6 mars.

Ish-sulmuesi i Baseli-t konsiderohet si një nga pikat më të forta të Colorados që nënshkroi me sulmuesin e Kombëtares Shqiptare duke e bërë futbollistin e dytë më të paguar në skuadër pas sulmuesit tjetër Kevin Doyle.

Top Channel