Shkëlqen Luiza Gega, kampione e Ballkanit me rekord kombëtar

27/02/2016 00:00

Luiza Gega shkëlqen në Kampionatin Ballkanik të Atletikës që po zhvillohet në Stamboll të Turqisë. Atletja shqiptare, numri 5 në botë, fitoi medaljen e artë në garën e 1.500 metrave për femra në këtë kompeticion, me kohën 4 minuta, 6 sekonda e 89 të qindat.

Ajo ka vendosur edhe një rekord të ri kombëtar, rreth 1 sekond më i ulët në krahasim me rekordin e mëparshëm që kjo atlete e kishte kapur në vitin 2015.

Luiza Gega e ka përmirësuar ndjeshëm kohën e saj në 1500 m. Në botërorin e sallave, kur ajo u rendit në vendin e gjashtë, koha e shënuar prej saj ishte 4 minuta, 8 sekonda e 24 të mijtat.

Evenimenti i radhës ku Gega do të garojë është Botërori i Sallave të Mbyllura, që do të zhvillohet në Portland nga 17 deri më 20 mars të këtij viti.

Top Channel