Në 24 orët e kaluara, nga Greqia në territorin e Maqedonisë kanë hyrë vetëm 22 refugjatë. Ministria e Punëve të Brendshme në Shkup ka informuar se 15 prej tyre janë shtetas sirianë, ndërsa 7 të tjerë7 nga Iraku.

Refugjatëve nga Afganistani nuk i është mundësuar kalimi i kufirit. Ndërkohë, mbi 5000 refugjatë ndodhen të bllokuar pranë kufirit jugor të Maqedonisë në territorin grek.

Autoritetet maqedonase prej disa ditësh kanë mbyllur kufijtë. Shumë prej tyre kanë mbetur jashtë kampeve dhe kanë kaluar natën nën qiell të hapur dhe kjo situatë nuk pritet të ndryshojë së shpejti.

Për shkak të mbylljes së kufirit, për disa ditë me radhë në stacionin hekurudhor të Gjevgjelisë mungojnë edhe trenat që transportojnë refugjatët. Ndërkohë, edhe në kufirin verior të vendit, situata është e rëndë.

Për më shumë se një javë, mbi 600 shtetas të Afganistanit po mbahen në kushte të rënda në qendrën tranzitore në Tabanocë, pasi policia serbe nuk i ka lejuar ata të kalojnë kufirin.

Sipas të dhënave zyrtare, që nga fillimi i këtij viti në Maqedoni kanë kaluar tranzit 87.200 refugjatë.

Top Channel