Andrea Pirlo paralajmëron Chelsean për Antonio Conten

27/02/2016 14:25

Mediat në Itali dhe në Britaninë e Madhe e bëjnë fakt të kryer; brenda 10 ditëve Antonio Conte do të vendosë të zezën mbi të bardhë duke u bërë trajneri i Chelsea-t sezonin e ardhshëm.

Për mesfushorin Andrea Pirlo, trajneri aktual i kombëtares italiane është njeriu i duhur në krye të “bluve”, nëse…

“Nuk kam gjë tjetër përveçse respekt dhe admirim për atë njeri. Jam i sigurtë që nëse merr përsipër një detyrë, ajo do të bëhet sipas kushteve të tij. Lojtarët që kërkon të afrojë, ata që kërkon të largohen, stili i lojës, gjithçka do të bëhet sipas kushteve të tij. Nëse nënshkruan me të dhe presidenti i klubit fut hundët në vendimet për formacionin apo për llojin e lojës, atëherë Conte nuk është trajneri i duhur për t’u ngatërruar me të”, thotë Andrea Pirlo.

E thënë nga Andrea Pirlo kjo mund të tingëllojë e vërtetë. Mesfushori aktual i New York FC ka qenë për tri sezone nën komandën e Antonio Conte-s tek Juventusi, ku arritën të fitojnë po kaq herë titullin kampion në Itali.

Top Channel