Kampionati i NBA, fiton Toronto, ‘bie’ Chicago

27/02/2016 00:00

Toronto Raptors fiton në sfidën më të rëndësishme të Konferencës së Lindjes, atë me Cleveland Cavaliers.

Në Air Canada Center, Toronto iu imponua Cleveland, duke e mbyllur sfidën 99-97. Kyle Lowry shënoi 43 pikë në këtë përballje për Toronton, duke vendosur një rekord personal në këtë aspekt.

Për Cleveland, LeBron James kishte mundësinë që të barazonte rezultatin në çastet e fundit të ndeshjes, por topi i gjuajtur prej tij nuk preku as hekurin e koshit. Gjithsesi, Cleveland vazhdon të kryesojë në Konferencën e Lindjes me 41 fitore e 16 humbje, i ndjekur pikërisht nga Toronto me bilanc 39 fitore e 18 humbje.

Chicago Bullls ndalet pas 3 fitoreve radhazi. Skuadra nga Ilinois, që nuk kishte në të gatshëm për këtë ndeshje Derrik Rose dhe Jimmy Butler, u mposht nga Atlanta në fushën e kësaj të fundit, me rezultatin 88-103. Ata që dhanë kontributin më të madh në këtë sukses të Houks ishin Jeff Tague me 19 pikë dhe Paul Millsap me 12 pikë e 13 topa në tabelë.

Pas 57 ndeshjeve të zhvilluara deri tani në sezonin e rregullt, Chicago e sheh veten në vendin e 8 në Konferencën e Lindjes me 30 fitore e 27 humbje, ndërkohë që shumë pranë saj është Detroit në vendin e nëntë.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Memphis mposhti Los Angeles Lakers në Staples Center 112-95, Washington fitoi ndaj Philadelphias 103-94, ndërsa Dallas triumfoi ndaj Denver Nuggets pas kohës shtesë me rezultatin 122-116.

Top Channel