Kush është kreu i ri i FIFA-s, Infantino

26/02/2016 00:00

Gianni Infantino është lindur në Brig të Zvicrës, por ka origjinë italiane. Ai në të vërtetë nuk ka asnjë lidhje me futbollin nga e kaluara, pasi ka studiuar dhe është diplomuar në Universitetin e Friborgut për drejtësi.

Infantino është një poliglot i lindur, njeh dhe flet shumë mirë 5 gjuhë të huaja: italisht, frengjisht, gjermanisht, anglisht dhe spanjisht. Përpasa se të kalonte në UEFA, ai mbante postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Sportive në Universitetin e Njushatelit dhe ka punuar si këshilltar i organizmave sportivë në Itali, Spanjë dhe Zvicër.

Nga viti 2000, Infantino kalon si avokat i UEFA-s dhe nga muaji tetor i vitit 2009 merr postin e Sekretarit të Përgjithshëm të organizmit më të lartë të futbollit europian. Ky pozicion e ndihmoi që të forconte pozitat e tij në të gjithë Europën, por jo vetëm, duke krijuar më tepër besueshmëri dhe respekt te të gjithë anëtarët e UEFA-s dhe pjesës tjetër të botës.

Ai ka ndërmarrë shpeshherë nisma të ndryshme për të krijuar një të ardhme më të sigurtë për futbollin, duke futur disa skema të reja, edhe të financimit. Një ndër projektet e tij është “Fair Play Financiar”, një projekt që ka ndihmuar ndjeshëm klubet europiane të shpëtojnë nga falimenti.

Gjithashtu, nga pikëpamja sportive, Infantino ka kontribuuar në ndryshimin e skemës për finalet e Europianit dhe Botërorit. Kështu, për 2016-n ai ishte ndër ata drejtues, që vendosën për një pjesëmarrje me 24 skuadra, nga 16, për fazën finale; për pranimin e 40 skuadrave në finalet e një Botërori, apo për zhvillimin e “Euro 2020”-s në 13 shtete të ndryshme.

Top Channel