President mes rrëmujës. Protesta e kaos në Prishtinë gjatë ditës, festë në mbrëmje

26/02/2016 00:00

Një ditë e gjatë, ndoshta më e gjata me incidente në historinë e re të Kosovës, ka qenë kjo e zgjedhjes së Presidentit Hashim Thaçi. Para seancës, policia shmangu një përplasje mes simpatizantëve të tij dhe protestuesve të opozitës në shesh.

Por, të pashmangshme ishin incidentet gjatë seancës, kur pasi përfunduan fjalimet e tyre, deputetët e opozitës hodhën gaz lotsjellës. Dy herë ia dolën ta ndëprisnin seancën, ndërsa herën e tretë, deputetja Shqipe Pantina dështoi në ndezjen e kapsollës. Si pasojë, deputetët e opozitës u përjashtuan dhe u nxorën me forcë jashtë salle.

E teksa Thaçi votohej President, jashtë Kuvendit, opozita vazhdonte protestën.

“Pas pothuaj 6 orësh protestë e partive opozitare, situata është përshkallëzuar me koktej molotovi nga ana e protestuesve, ndërsa policia iu është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës, duke shpërndarë turmën”.

Pas Kuvendit, policia njofton se është sulmuar me koktej molotovi hyrja e shtëpisë së kryeministrit Mustafa. Bilanci, 12 policë dhe 35 protestues të lënduar.

Pas kësaj, policia prishi edhe kampin e opozitës në shesh, ndërsa zgjedhja e Presidentit të ri u festua me fishekzjarre pak metra larg Kuvendit, në selinë e PDK-së. Në mesin e mjeteve piroteknike janë dëgjuar edhe krisma armësh.

Top Channel