Gianni Infantino zgjidhet president i ri i FIFA-s

26/02/2016 18:10

Gianni Infantino është zgjedhur në krye të FIFA-s pas raundit të dytë të votimit në Asamblenë Zgjedhore të mbajtur këtë të premte në Zyrih.

Italo-zvicerani arriti të marrë 115 vota në raundit e dytë të votimit, ndërsa sheiku i Bahrejnit Al Khalifa u rendit i dyti me 88 vota, princi i Jordanisë, Al Hussein, 4 vota, ndërsa Jerome Champagne nuk arriti të merrte asnjë votë në këtë raund.

Raundi i parë i votimit nuk arriti të zgjidhte presidentin pasi asnjëri nga kandidatët nuk arriti të merrte dy të tretat e votave, ndërsa në raundin e dytë ishte Gianni Infantino që arriti të zgjidhet presidenti i organit më të lartë të futbollit botërorë.

45-vjeçari Infantino i diplomuar për drejtësi do të zëvendësojë Sepp Blatter, që për ironi banojnë jo më pak se 10 kilometra distancë nga njëri-tjetri. Blatter e udhëhoqi organin më të lartë të futbollit botërorë që nga viti 1998 deri në vitin e shkuar, ku u pezullua dhe u dënua me 6 vite nga aktivitetet sportive dhe organet drejtuese.

Gianni Infantino është avokat zviceran me origjinë italiane. Ai mbante postin e Sekretarit të Përgjithshëm të UEFA-s. Programi i tij përmban zgjerimin e Kupës së Botës me 40 ekipe kombëtare, 5 milionë dollarë për çdo katër vjet për çdo federatë dhe 40 milionë dollarë për çdo konfederatë.

“Nuk kam fjalë të shpreh ndjenjat e mia në këto momente. Të gjithë do të na duartrokasin për atë që ne do të bëjmë”, tha Infantino menjëherë pas daljes së rezultateve që e bënë atë President të FIFA-s.

Ndërkohë që edhe Shqipëria ka qenë një mbështetëse me votën e saj e presidenti të ri të FIFA-s.

Top Channel