Një “yll” po lind në Manchester

26/02/2016 00:00

Marcus Rashford është vetëm 18 vjeç, por mbrëmjen e së enjtes ishte lojtari kryesor që i dha fitoren 5-1 Manchester United ndaj Midtjylland në Europa League, duke i kualifikuar “Djajtë” për në fazën tjetër të këtij kompeticioni.

Për Rashford ishte ndeshja e parë që luante në kupat e Europës dhe arriti të shënonte dy gola vendimtarë, duke ndihmuar ekipin e drejtuar nga Van Gaal, për të arritur kualifikimin.

I detyruar nga dëmtimet e shumta që kanë pësuar lojtarët kryesorë të ekipit, trajneri holandez hodhi në fushën e lojës lojtarë të rinjë, një prej të cilëve ishte edhe Marcus Rashford, i cili së bashku me shokët e ekipit arritën të kthejnë humbjen në Danimarkë 2-1, duke marrë një fitore të thellë.

Për mediat britanike aktivizimi që nga minuta e parë e Rashford ishte surprizë, por pas përfundimit të ndeshjes të gjithë dhanë vlerësimin maksimal për këtë talent.

Marcus Rashford ishte njeriu i mbrëmjes në “Old Trafford”, duke i bërë të gjithë të lumtur, por tashmë atë e pret një rrugë e vështirë për të qenë mes lojtarëve më të mirë të Manchester. Duke para se një pjesë e madhe e të dëmtuarve do të kthehen së shpejti ai do ta ketë të vështirë, por nëse tregon sërish atë që bëri mbrëmjen e së enjtes, e ardhmja e tij është e sigurt në radhët e Manceshter United.

Top Channel