Hashim Thaçi, President me 71 vota pas raundit të tretë

26/02/2016 00:00

Udhëheqësi i PDK-së, Hashim Thaçi është zgjedhur President i Kosovës për një mandat 5-vjeçar. Me 71 vota pro dhe 10 të pavlefshme, ai arriti të sigurojë votat e nevojshme për të ushtruar postin e kreut të shtetit. Buqetën e parë me lule, që e mori nga partia e tij, Thaçi ia dhuroi vajzës së ish-Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Më 7 prill, ai pritet që të bëjë edhe zyrtarisht betimin dhe të fillojë të ushtrojë pozitën e re.

Procesi zgjedhor i Presidentit deri në raundin e tretë u shoqërua me shumë frikë dhe llogaritje të interesave të deputetëve brenda koalicionit.

Kjo u konfirmua në rezultatin e raundit të parë, ku nga 81 deputetë të koalicionit qeveritar, vetëm 50 e votuan Thaçin, 4 Rafet Ramën, ndërsa 27 vota ishin bërë të pavlefshme.

Ky rezultat, përveç se befasoi Thaçin, alarmoi kryeministrin Isa Mustafa, i cili foli me deputetët e LDK-së, por edhe me partnerët e koalicionit nga “Lista Serbe”, pasi dyshohej se në raundin e parë edhe serbët po kërkonin favore për votat e dhëna.

Pas konsultave me deputetët, në raundin e dytë rezultati u përmirësua dhe Thaçi mori 64 vota, kandidati i tij “rival” mori 2, ndërsa 15 vota ishin sërish të pavlefshme.

Raundi i tretë dhe i fundit, kur sipas Kushtetutës Presidenti mund të zgjidhet me 61 vota, riktheu besimin e koalicionit, pasi 71 vota ishin pro Thaçit President, ndërsa 10 të tjera të pavlefshme janë vota të disa deputetëve të LDK-së dhe të “Listës Serbe”.

Me konfirmimin e rezultatit dhe fillimit të festës në Kuvend, përfaqësuesi i opozitës në komisionin votues, deputeti i Vetëvendosjes Ilir Deda u largua nga salla, ndërsa Thaçi iu drejtua deputetëve.

Menjëherë pas përfundimit të seancës, ambasadori amerikan Greg Delaëie, i cili ka qëndruar gjatë gjithë ditës në seancë, tha se Shtetet e Bashkuara urojnë zgjedhjen e Presidentit dhe presin vazhdimin e marrëdhënieve mes dy popujve, ndërsa dënoi sërish përdorimin e dhunës nga opozita.

Ndërkohë, krerët e opozitës, në një konferencë të jashtëzakonshme thanë se zgjedhja e Thaçit President po e thellon krizën politike.

Top Channel