Përjashtohet opozita, nxirren me forcë deputetët e saj; nis votimi

26/02/2016 16:10

Ka nisur më në fund procesi i votimit për Presidentin e ri të Republikës së Kosovës, teksa në Kuvend janë të pranishëm 82 deputetë. Kjo, pasi e gjithë opozita është përjashtuar, për shkak të zhvillimeve të mëhershme të seancës së sotme të jashtëzakonshme në Kuvend.

Fillimisht, janë përjashtuar gjashtë deputetë; Ismail Kurteshi, Pal Lekaj, Teuta Haxhiu, Time Kadriaj, Bali Muharremaj dhe Faton Topalli.

Këta deputetë u përjashtuan si përgjegjës për hedhjen e parë të gazit lotsjellës dhe shkaktimit të trazirave që bënë të pamundur vijimin e seancës, ndërkohë që me rinisjen e seancës, pak pas orës 15:00, opozita ka hedhur sërish gaz në sallë.

Pas kësaj, kryetari i Kuvendit ka kërkuar sërish pushim dhe pak minuta më vonë Kuvendi ka dalë me një deklaratë ku njofton përjashtimin e pesë deputetëve të tjerë të opozitës.

“Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Visar Ymeri, Mytaher Haskuka dhe Salih Salihu të largohen nga pjesëmarrja në seancën plenare me 26 shkurt 2016 për shkak se me sjelljet dhe veprimet e tyre e pamundësuan zhvillimin e punimeve të seancës plenare”, thuhet në njoftim.

Por pavarësisht këtij vendimi të kryesisë së Kuvendit, deputetët e opozitës refuzuan të dalin nga salla. Kjo ka detyruar kryetarin e Kuvendit që të kërkojë largimin me forcë të tyre, proces që po zhvillohet aktualisht nga forcat e sigurisë.

Pas nxjerrjes me forcë nga salla e Kuvendit, kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri e cilësoi vendimin për nxjerrjen e deputetëve të opozitës jashtë si të paarsyetuar.

“Ky Kuvend, që e ka humbur prej kohësh legjitimitetin, po bëhet gjithmonë e më shumë Kuvend i dhunës i kontrolluar nga treshja famëkeqe Mustafa-Thaçi dhe Veseli”, deklaroi ai.

Menjëherë pas rivendosjes së qetësisë në sallë, kryetari Kadri Veseli u mundua rinisjen e saj, ndërkohë që një pjesë e madhe e forcave të sigurisë qëndronin mbi kokat e deputetëve të opozitës për të parandaluar hedhjen e mundshme të gazit lotsjellës. Ky vendim për të mbajtur nën vëzhgim opozitarët ka parandaluar hedhjen për herë të tretë të gazit lotsjellës në sallë.

Deputetja e radhës e larguar ka qenë ajo e VV-së, Shqipe Pantina, e cila është shoqëruar me polici pasi doli nga salla e Kuvendit. Ajo tentoi disa herë të ndezë kapsolla gazi lotsjellës në sallë, por u neutralizua nga forca të shumta sigurie. Ngjarja, vetëm pak nga nisja e procesit të votimit për Presidentin e ri.

Pas kësaj, opozita ka dalë e gjitha nga salla, ku mbetet vetëm deputeti i VV, Ilir Deda, i cili prej kohësh është njohur për qëndrimet e tij kundër forcës politike së cilës i përket. Ndërkohë, seanca vijon me ngritjen e komisionit, që do të menaxhojë procesin për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Top Channel