Kosovë, mbahet seanca për votimin e Presidentit

26/02/2016 00:00

Po mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, ku pritet të votohet presidenti i ri i vendit. Kandidatët janë Hashim Thaçi dhe Rafet Rama.

Para nisjes së kësaj seance, të gjithë deputetët i janë nënshtruar një kontrolli të imtësishëm në hollin e Kuvendit dhe karriket e sallës së Kuvendit u kontrolluan një për një nga dy policë civilë. Të pranishëm në sallën e Kuvendit janë edhe përfaqësues të trupit diplomatik.

Pa nisur ende seanca e Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit, pranë selisë së PDK-së në Prishtinë u mblodhën dhjetëra simpatizantë të Hashim Thaçit.

Njësitë speciale kanë bllokuar rrugën që të çon nga kjo seli në sheshin “Nëna Terezë”, ku janë grumbulluar protestuesit e opozitës. Për disa minuta ka pasur një përplasje verbale mes dy palëve dhe parrulla kundër dhe pro Thaçit.

Ka nisur ndërkohë protesta e opozitës së bashkuar kundër marrëveshjeve me Serbinë. Protestuesit e opozitës kërkojnë shpërndarjen e Parlamentit dhe zgjedhje të reja. Opozita po proteston edhe kundër zgjedhjes së Hashim Thaçit president.

Policia shmangu një përplasje mes mbështetësve të opozitës dhe atyre të Thaçit.

Top Channel