Ndryshime në orarin e Superiores

26/02/2016 00:00

Sektori i garave pranë Federatës Shqiptare të futbollit ka zyrtarizuar më në fund edhe datat edhe oraret e ndeshjeve të Kategorisë Superiore këtë fundjavë, ndalesat e 23 në sezonin aktual të sportit më të ndjekur në vendin tonë.

Kështu të shtunën do të luhen 4 përballje që pritet të riformatojnë renditjen. Të gjitha sfidat do të startojnë në orën 13:30 dhe jo në 14:00 siç ishte vendosur fillimisht.

Ndeshja e vlefshme për javën e 23-të të Kategorisë Superiore Tërbuni-Partizani do të luhet në stadiumin e qytetit të Pukës, “Ismail Xhemali”. Ndërkohë, Vllaznia që lufton për mbijetesën do të ketë një pengesë të vështirë si Laçi në fushën sportive “Reshit Rusi”.

Kukësi shpreson të lërë pas polemikat për gjykimin në humbjen ndaj Partizanit, por përballë është Flamurtari i rizgjuar në pjesën e dytë të sezonit. Sfida kryesore pritet të jetë ajo mes Tiranës dhe Teutës, dy rivalë direkt për një vend në Europa League.

E diela mbyll panoramën e javës së 23 me ndeshjen Bylis-Skënderbeu. Favoritët nuk diskutohen që nga minuta e parë në Ballsh, me korçarët kryesues dhe kampion në fuqi, ndërsa Bylisin që e mban ende në lojë matematika dhe shpresa për të qëndruar në elitë.

Top Channel