Thaçi, të premten President. Mazhoranca bën thirrje për qetësi, opozita për protestë

25/02/2016 00:00

Tashmë kur kanë mbetur më pak se 24 orë nga seanca për votimin e Hashim Thaçit për President, Kuvendi i Kosovës i ka kryer të gjitha përgatitjet dhe ka ftuar për pjesëmarrje në seancë edhe ambasadorët e akredituar në Prishtinë.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, si partneri i dytë më i madh në koalicionin qeverisës, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se do ta respektojë marrëveshjen me PDK-në, që Hashim Thaçi të zgjidhet President, ndërsa ka ftuar deputetët e saj ta respektojnë këtë marrëveshje.

E ndërsa opozita po mbledh aktivistët për të penguar me çdo forcë zgjedhjen e Thaçit, mbështetësit e këtij të fundit nga disa qytete kanë paralajmëruar se, do të udhëtojnë të premten drejt Prishtinës për të festuar zgjedhjen e tij president.

Këto paralajmërime kanë alarmuar institucionet e sigurisë, por edhe forcat politike.

Top Channel ka mësuar se, pavarësisht organizimeve të vet degëve të PDK-së, udhëheqësia e partisë ka kërkuar që të mos bëhet asnjë organizim feste gjatë së premtes në Prishtinë për zgjedhjen e Thaçit, duke shmangur çdo konflikt të mundshëm me opozitën.

Thirrje për mosdaljen e admiruesve të Thaçit ka bërë edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila ka paralajmëruar se, në atë rast do të kishte dhunë në Prishtinë.

Edhe krerët e opozitës, në konferencën e mbajtur para çadrave në shesh, kanë folur për rreziqet e paralajmëruara mes qytetarëve, por nuk besojnë se një gjë e tillë do të ndodhë.

“Ata kanë paralajmëruar konflikte fizike, por janë gënjeshtra. Kanë paralajmëruar rreziqe, janë sërish gënjeshtra. Kanë paralajmëruar festë, edhe kjo është gënjeshtër. Ata kanë si qëllim që t’i pengojnë njerëzit të vijnë në protestë, sepse nëse nuk do të ketë protestues, shpresojnë që do të duken më legjitimë në Parlament”, tha Ramush Hardinaj, kryetar i AAK-së.

Por, për të shmangur çdo skenar të dhunës, si brenda edhe jashtë Kuvendit, Policia e Kosovës, sipas zëdhënësit Daut Hoxha, ka hartuar një plan operativ dhe do të kujdeset që gjithçka të shkojë sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi.

FOTO GALERI
1/1
Krerët e opozitës së bashkuar

Top Channel