Refugjatët, nën rrezikun e trafikantëve. Mediat greke: 4.000 Euro për të kaluar nga Shqipëria

25/02/2016 00:00

Mbyllja e kufirit greko-maqedonas, që ka bllokuar mijëra refugjatë në dhjetëra qytete dhe rrugë të Greqisë, ka krijuar terren veprimi për qarqet e trafikantëve të qenieve njerëzore.

Janë disa portale greke, që ditën e enjte kanë publikuar artikuj, sipas të cilave, pjesëtarë të këtyre qarqeve u ofrojnë, sidomos emigrantëve nga Afganistani që qëndrojnë prej ditësh në sheshin “Viktoria” të Athinës, 3000-4000 euro për t’i çuar nëpërmjet kufirit greko-shqiptar në Gjermani.

Vetëm disa orë më parë në këtë shesh, dy refugjatë afganë, të dëshpëruar se janë bllokuar në Greqi, janë përpjekur të varen në degët e një peme pranë çadrës ku ata qëndronin dhe janë shpëtuar në momentin e fundit.

Lajmi për fillimin e veprimit të grupeve të trafikantëve me korridor kalimi Shqipërinë është bërë i njohur vetëm disa orë, pasi policia kufitare në Kakavijë ka kapur 12 shtetas pakistanezë, të cilët kishin hyrë ilegalisht nëpërmjet kufirit jeshil nga Greqia në Shqipëri, në vendin e quajtur “Post Katund”. Të gjithë këta persona kërkonin të shkonin në Mal të Zi, me destinacion përfundimtar Gjermaninë.

Ndërkohë, përveç fotografive nga sheshet e Athinës, kampet e pritjes dhe pikat kufitare, xhiron e mediave po bën prej mëngjesit të së enjtes, fotografia e një refugjati me një gjymtyrë të prerë, që është nisur në këmbë për të përshkuar një distancë prej 500 km, nga Lamia drejt fshatit Eidomeni, në kufirin greko-maqedonas, bashkë me mijëra refugjatë të tjerë.

Qeveria greke, e cila ka tërhequr ambasadoren e saj në Vjenë në shenjë proteste ndaj veprimeve të njëanshme të qeverisë austriake, që nuk ka ftuar Athinën në mbledhjen e vendeve të Ballkanit dhe ka shkaktuar efektin domino të mbylljes së kufijve, ka vendosur të shpërndajë në rreth 20 pika në të gjithë vendin, 2.560 çadra 6-vendëshe dhe 4-vendëshe, për t’u strehuar përkohësisht mbi 20 mijë refugjatë që janë bllokuar në Greqi.

Pas paralajmërimeve të djeshme në Parlament, të kryeministrit Tsipras ndaj europianëve, se Greqia do të bllokojë marrëveshjet e ardhshme të BE-së, nëse shtetet anëtare nuk zbatojnë marrëveshjet e tyre për azilkërkuesit, edhe ministri grek për Emigracionin ka deklaruar para samitit të ministrave të Brendshëm se, Greqia nuk do të lejojë të kthehet në Libanin e Europës.

Top Channel