Lojërat “Rio 2016”, zbulohet itinerari i Flakës Olimpike

25/02/2016 00:00

Komiteti Organizativ i Lojërave Olimpike të Rio de Janeiro prezantoi itinerarin që do të përshkojë Flaka Olimpike në prag të këtij evenimenti nëpermjet një ceremonie shumëngjyrëshe të mbajtur në qendër të këtij qyteti.

Itinerari i simbolit të Lojërave Olimpike do të nisë nga Athina, në 3 maj dhe do të përshkojë 20 mijë kilometra në tokë e 16 mijë kilometra në ajër.

Përsa i përket territorit brazilian, pishtari do të udhëtojë në 329 qytete në 26 shtete të Brazilit përpara se të mbërrijë në Rio në 5 gusht kur do të zhvillohet edhe ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike.

Në këtë rrugëtim të Flakës Olimpike do të jenë të pranishëm shumë emra të rëndësishëm të sportit brazilian. Mes 12 mijë personave që do marrin pjesë në këtë ngjarje është edhe kapitenia e skuadrës olimpike të vojebollit për femra Fabiana Claudino, e cila u shfaq e befasuar nga ky lajm.

Të tjerë emra të njohur të sportit brazilian që do të mbajnë pishtarin Olimpik janë edhe Izabel Suan, fituese e medaljes së bronzit në garat me varka me vela dhe Erica Miranda fituese e medaljes së artë në xhudo në Lojërat Pan-amerikane.

Pishtarët e Flakës Olimpike janë të krijuar me alumin të ricikluar dhe resin dhe jane te pikturuar me ngjyrën e gjelbër që përsonifikon panoramën e maleve të Rios. Ata janë të gjatë 69 cm dhe peshojnë 1-1.5 kg.

Ndërkaq autoritetet braziliane po punojnë që  rrugëtimi i Flakës Olimpike të jetë i sigurt duke qenë se pishtari do të kalojë edhe në 19 prej qyteteve të konsideruar si ndër 50 më të rrezikshmit në botë.

Top Channel