Kosovë, aktakuza ndaj pjesëmarrësve në luftën e ISIS në Siri

25/02/2016 00:00

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur këtë të enjte aktakuzën kundër të pandehurit Samet Imishti, i cili u arrestua në Han të Elezit dhjetorin e kaluar, në një aksion të policisë kosovare dhe asaj italiane kundër militantëve të ISIS-it.

Aktakuza ndaj tij është ngritur në bazë të ligjit “Për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit”. Ndaj 44-vjeçarit rëndojnë akuza për veprat penale: Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet në grup apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës i pandehuri, nga tetori i vitit 2013 deri në nëntor të 2015-s, në rrjetin social “Facebook” ka përkrahur ideologjinë ekstreme të ISIS-it, ka bërë thirrje për t’iu bashkuar ISIS-it, si dhe ka komunikuar me persona pjesëmarrës në luftën e tyre në Siri dhe Irak, duke ftuar publikisht ISIS-in që “të çlirojë edhe Kosovën”.

Autoritetet kosovare llogarisin se, që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 300 kosovarë, përfshi gra e fëmijë, kanë shkuar në Siri.

* Një tjetër aktakuzë për “organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist” është ngritur këtë të enjte nga Prokuroria Speciale e Kosovës, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, kundër të pandehurit L.F..

Sipas aktakuzës, i pandehuri i është bashkuar organizatës terroriste ISIS, duke marrë pjesë në luftimet e zhvilluara në Siri, ku ka qëndruar për rreth dy muaj.

Njoftimi i prokurorisë bën të ditur se, pas dy muajsh qëndrimi në Siri, duke u kthyer për në Kosovë, i dyshuari është ndaluar nga Policia e Turqisë dhe është kthyer në Republikën e Kosovës.

Top Channel