Sukur rrezikon burgun për një “cicërimë”

25/02/2016 00:00

Një postim inkriminues mund të kushtojë shtrenjtë në ditët e sotme, sidomos në Turqi në epokën e Recep Tayyip Erdogan.

Edhe kur bëhet fjalë për simbole kombëtare që i kanë dhënë shumë futbollit, politikani që po sundon vendin me dorë të hekurt nuk prapset.

Hakan Sukur, ish-sulmuesi i shumë ekipeve e të njohura rrezikon një dënim deri në 4 vjet burgim pasi ofendoi përmes rrjetit “Twitter”, presidentin e Turqisë.

Ish-bomberi i njohur i kombëtares turke, që ka kombësi shqiptare, ka mohuar se fjalët e tij kishin objektiv Erdgoan, por alibia e tij është rrëzuar dhe tashmë ka nisur procesi inkriminues.

Seanca e parë gjyqësore ndaj futbollistit që ka shënuar gola të bukur me Interin apo Galatasaray do të nisë javën e ardhshme. Pasi mbylli karrierën futbollistike, Hakan Sukur aderoi në partinë AKP të presidentit Erdogan, por dha dorëheqjen në 2013 pas një hetimi për korrupsion.

“Demi i Bosforit”, siç është pagëzuar nga mediat sportive, ka origjinë nga Kosova. Ai ka realizuar golin më të shpejtë në historinë e një botërori, pas vetëm 11 sekondash.

Si për ironi të fatit, Erdgoan, që kërkon ta burgosë aktualisht, ka qenë kumbari i tij në dasmën luksoze të zhvilluar në Stamboll, kur presidenti aktual ishte asokohe kryebashkiak i Stambollit.

Top Channel