Kartonë me dashje, Pique i shpëton dënimit nga UEFA

24/02/2016 00:00

Champions League është një kompeticion elitar futbolli për klube, por edhe pse në faza eliminimi direkt, për shumë lojtarë llogaritë nisin që pas fazës së grupeve.

Një çështje e shumëdiskutueshme ka qenë dhe mbetet ajo e kartonëve të verdhë me dashje, për të evituar sanksione në ndeshje vendimtare.

Këtë e kanë bërë emra si Sergio Ramos, dhe mesa duket e përsëriti mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique. Ky i fundit gjithsesi i ka shpëtuar procedimit disiplinor pas ndëshkimit kontrovers në fundin e ndeshjes së fituar 2-0 ndaj Arsenalit. Pique u penalizua nga arbitri në “Emirates Stadium”, pas një faulli ndaj Danny Welbeck.

Dashamirësit e konspiracioneve në internet po arrijnë deri aty sa ta quajnë një urdhër të trajnerit Luis Enrique, pasi ndëshkimi erdhi menjëherë pas një bisede mes tij dhe mbrojtësit.

Trajneri i Barcelonës shmangu lidhjet e tij në ndëshkimin me ose pa dashje. UEFA ka tagrin të dënojë një lojtar me dy ndeshje pezullim nëse mendon se është dënuar me dashje, por në rastin e Pique kjo nuk qëndron. Mbrojtësi nuk do të luajë në kthimin në 16 mars ndaj Arsenalit.

Top Channel