Porto apo Dortmund, luzitanët në mision të (pa)mundur

24/02/2016 00:00

Porto-Dortmund është mes përballjeve më të forta në Europa League në synimin për të kaluar në 16 më të mirët e turneut të vogël kontinental për klube, me luzitanët përballë një misioni të vështirë, por jo të pamundur ndaj gjermanëve.

Suksesi 2-0 në “Signal Iduna Park” e favorizon ekipin e Bundesliga-s edhe pse do të luajë këtë të enjte në një stadium të frikshëm si “Dragao”.

Në stërvitjen e fundit, formacioni portugez bëri kolaudimet e fundit para se të tentojë përmbysjen e madhe ndaj Borusias. Porto nuk po shkon mirë në Superligën vendase pasi ndodhet në vendin e tretë, por tani rrezikon të humbasë një tjetër objektiv sezonal.

“Ne besojmë në potencialin e futbollistëve tanë dhe pasi përmbysëm një disavantazh prej dy golash në ndeshjen e fundit, kemi shtuar besimin se mund t’ia dalim. Ishim duke humbur 2-0 në kampionat, por përmbysëm gjithçka në 50 minuta. Ndaj Dortmundit kemi më shumë kohë në dispozicion”, tha trajneri Jose Peseiro.

“Borusia është një kundërshtar me potencial të madh, por ne kemi ambicien dhe dëshirën për ta fituar bindshëm ndeshjen”, tha Peseiro. Ai zëvendësoi muajin e kaluar trajnerin Lopetegui që u shkarkua nga bordi i Portos.

Top Channel