UEFA dhe FIFA ftojnë FFK-në në Kongres

24/02/2016 00:00

Federata e Futbollit të Kosovës duket se është në rrugë të mbarë drejt anëtarësimit të saj në institucionet më të larta të botërore dhe europiane të futbollit. Mësohet se FFK ka marrë tashmë ftesën për të marrë pjesë në punimet e Kongresit të jashtëzakonshëm të UEFA-s dhe FIFA-s që do mbahet në datat 25 dhe 26 Shkurt.

Edhe pse Federata e Kosovës nuk është pjesë e këtyre dy instancave, Presidenti i federatës, Fadil Vokrri dhe Sekretari i Përgjithshëm, Eoll Salihu kanë marrë tashmë ftesa.

Megjithatë mësohet se çështja e Kosovës nuk është në axhendë dhe ndoshta Federata e Futbollit të Kosovës do të presë muajin maj për kongresin e radhës, ku me shumë mundësi edhe çështja e anëtarësimit në dy organizmat do të diskutohet.

Në punimet e Kongresit, këtë të enjte e të premte, do të diskutohet në lidhje me zgjedhjet presidenciale pas pezullimit të Sepp Blatter, ndërsa problematika e pazgjidhur në UEFA pas shkarkimit të Michel Platini vazhdon të krijojë amulli në këtë institucion që vazhdon të drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm, Gianni Infantino.

Top Channel