Thaçi zgjidhet të premten, mazhoranca i gjen “Namik Doklen” kandidatit zyrtar

24/02/2016 16:55

Kuvendi i Kosovës voton të premten për të zgjedhur presidentin e ri. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli konfirmoi se në garë me kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi, do të jetë edhe një deputet i partisë së tij, Rafet Rama.

“Të premten kemi seancë në orën 11:00 për zgjedhjen e presidentit. Kemi dy kandidat: Hashim Thaçi dhe Rafet Rama. Bëj thirrje për qetësi dhe kujdes pasi ka një fanatizëm të paparë opozitar, prandaj çdo familje në Kosovë në këto momente duhet ta ruaj qetësinë dhe njëri-tjetrin”, tha Vesli.

Burime brenda koalicionit qeveritar thanë për Top Channel se Thaçi i ka të konfirmuara votat e nevojshme dhe ai do të zgjidhet president.

Në mbledhjen e kryesisë, ku u caktua seanca për president, morën pjesë dhe përfaqësues të opozitës, ndërsa deputetja e VV, Aida Dërguti lëshoi gaz lotsjellës. Ajo u shoqërua në polici pas një konferencës për shtyp, ndërsa mbledhja vazhdoi në një sallë të pastër.

Deputeti Kurti paralajmëroi se opozita nuk do të marrë pjesë në seancën për president. “Ne nuk marrim pjesë në këtë puç, i ftoj qytetarët të protestojnë”, tha Kurti.

Kjo mbledhje pasoi një seancë Kuvendi normale pa gaz, por pa praninë  e opozitës, e cila vazhdon nga ana tjetër të qëndrojë me tenda në shesh.

Kjo ka bërë që institucionet të jenë në masa të larta sigurie. Forca të shtuara janë vërejtur gjatë ditës në edhe në godinën e Ministrisë së Bujqësisë, pas djegies së makinës familjare të ministrit Memli Krasniqi dhe automjetit të familjes të këshilltarit të kryeministrit Mustafa, Bajram Gecaj. Të dyja sulmet janë dënuar ashpër nga qeveria.
 

Top Channel