Kosova e parë nga qielli, me forma dhe ngjyra, që syri vështirësisht i rrok nga afër. Plot 99 foto, të shkrepura për herë të parë nga lart, sjellin bukuritë natyrore dhe sidomos ato të trashëgimisë kulturore të gjysmës tjetër shqiptare.

Destinacioni i ri i Alket Islamit në ajër, pas Shqipërisë është Kosova dhe qytetet e saj, rrugët që zgjaten mes malesh, apo peizazhe urbane që shoqërojnë një udhëtim fotografik të rrallë.

Në këtë vëllim të parë, objektivi i Islamit fluturon mbi objekte historike, që të çojnë sa në Prizren me kalanë, arkitekturën dhe historinë e tij të veçantë; kishën dhe xhaminë e Ferizajt, në Prishtinë e Gjakovë, me alpet e malësisë, liqenet malore; kësaj here për të promovuar turizmin dhe vlerat, mbi të cilat koha dhe njerëzit kanë lënë gjurmët e tyre.

“Është një përzierje e trashëgimisë me natyrën. Aty janë të vendosura të gjithë monumentet e kulturës së Prizrenit, ku është fokusuar më shumë aparati fotografik, Gjakovës dhe dhe një pjesë e natyrës së Kosovës. Janë të fokusuara mirë dy nga manastiret më të mëdha që ka Kosova, e mbi të gjitha kopertina, që flet vet për bashkëjetesën fetare. Vëllimi tjetër do të ketë më shumë natyrë, ndërsa i fundit do të jetë me të gjithë pjesën e Alpeve dhe malësisë së Kosovës”, shprehet Alket Islami.

Top Channel