Rinovimi i Higuanit, ende asnjë vendim

24/02/2016 14:15

Ndizen sërish zërat e merkatos për Gonzalo Higuain. Sulmuesi argjentinas ka një kontratë me Napolin deri në qershor të vitit 2018 dhe sipas të përditshmes “La Gazzetta dello Sport” te klubi italian nuk është më ajo siguria e madhe për rinovimin e saj.

Te Napoli askush nuk e imagjinon skuadrën pa Higuain, por ky i fundit duket se nuk e ka me ngut këtë çështje. Pritet që në Itali të mbërrijë edhe babai i futbollistit, Jorge, por gjithsesi nuk garantohet takimi i tij me presidentin De Laurentis për kontratën e re të sulmuesit.

Higuain ka në kontratën e tij me Napolin një klauzolë të zgjidhjes së saj prej 94 milionë eurosh, megjithatë kjo shifër nuk pengon klubet evropiane të shfaqin dëshirën për të siguruar kartonin e lojtarit.

Në Premier League është Chelsea që shfaq gatishmërinë të bëjë çmendurinë për të sjellë në Stamford Bridge argjentinasin, ndërkohë që argjentinasi është vënë edhe në shënjestrën e Paris Saint Germain. Kampionët e Francës kanë parë të largohet Lavezzi dhe një gjë të tillë pritet ta bëjnë edhe Ibrahimovic e Cavani dhe kjo situatë i shtyn ata të mendojnë për një blerje të mundshme të Higuainit.

Top Channel