Bajerni i Mynihut kërcënohet nga një grabitës bankash

24/02/2016 00:00

Në vitet ’90 ishte një grabitës bankash, por pak ditë më parë kërkoi të bëjë goditjen e madhe duke kërcënuar Bajernin e Mynihut. Bëhet fjalë për Harald Zirngibël, 63 vjeç, i cili është arrestuar nga policia bavareze për shantazh ndaj kampionëve të Gjermanisë.

Zirngibël kishte dërguar në zyrat e Bajernit 2 letra kërcënuese në 9 dhe 15 shkurt ku shkruante se do të vendoste bombë nëse nuk do t’i jepeshin 3 milionë euro, 2 milionë euro në diamante dhe 1 milionë të tjera në kartëmonedha.

Por jo vetëm kaq, në këto letra kërcënuese ish-grabitësi i bankave kishte përcaktuar edhe prerjen e kartëmonedhave si dhe ngjyrën dhe karatët e diamanteve.

Sipas autoriteteve gjermane, Harald Zirngibël kishte qenë në burg për 13 vjet pasi kishte kryer 17 grabitje, nga të cilat kishte përfituar 2.4 milionë euro. Ai ka qenë në krye të një bande kriminale që hynte në banka duke marrë peng persona, numri i të cilëvë në total ishte 73 dhe më pas largohej duke mbyllur portat e bankave me bisht fshese.

Në vitin 1999 ai kishtë lënë qelitë e burgut në liri të mbikqyrur, por me këtë veprim të fundit ai rrezikon të kthehet sërish për të qëndruar edhe shumë vjet të tjerë.

Top Channel