Çudi në Youth League: shënon penalltinë, arbitri e quan të humbur (Video)

24/02/2016 12:00

Çudia ndodh në Ligën e Kampioneve për 19-vjeçarë, në ndeshjen mes Chelsea dhe Valencia. Skuadra spanjolle u eliminua në 1/8 e finaleve të këtij aktiviteti nga kampionët në fuqi pas gjuajtjes së 11-metërshave, ndërkohë që 90 minutat e sfidës u mbyllën 1-1. Pikërisht në këtë moment ndodhi edhe ngjarja e çuditshme.

Alberto Gil ishte ai që mori përsipër të gjuante penalltinë e parë për valencianët. Topi e kaloi vijën fatale duke u përplasur me një nga hekurat e portës, për të dalë më pas jashtë, por për arbitrin ky nuk ishte gol. Skuadra e Valencias protestoi për këtë vendim duke bërë që arbitri kryesor të konsultohet me atë anësor. Por edhe pas këtij konsultimi, goli nuk u quajt i vlefshëm.

Arbitri vendosi që të vijojë serinë e gjuajtjeve të 11-metërshave ku nuk u pa asnjë gabim mes lojtarëve, ndërkohë që në fund Chelsea fitoi këtë seri penalltish 5-3 për të kaluar në çerekfinale.

Valencia këtë vendim të arbitrit e quajti skandaloz dhe vendosi ta apelojë atë, ndërkohë që edhe vetë Chelsea e konfirmoi se topi i gjuajtur nga Gil në penalltinë e tij e kishte kaluar vijën fatale të portës.

Top Channel