Refugjatët “pushtojnë” Greqinë, pasi Maqedonia mbylli kufirin

24/02/2016 00:00

Mbi 20 mijë refugjatë ndodhen në orët e fundit të bllokuar në të gjithë Greqinë, pas mbylljes se kufijve me Maqedoninë ndërsa fluksi i hyrjes nga brigjet turke drejt ishujve grekë vazhdon të jetë i pandalshëm.

Në pamundësi për t’i lejuar drejt fshatit Eidomeni në kufirin greko-maqedonas që është tashmë i mbyllur, autoritetet greke bllokuan përkohësisht në mesditë për t’i lejuar gradualisht në orët e ardhshme mbi 26 autobusë me refugjatë në Lamia, 13 në Magnesi, 23 në Larisa, 8 në Katerinë, 4 në Kozan, 4 në Veria, 1 në Kavale dhe 23 në Trikala.

Mbi 500 emigrantë janë nisur në këmbë nga Lamia drejt këtij kufiri që ndodhet rreth 500 km larg. Duke mos pasur rrugë tjetër kalimi, vlerësohet se ekziston mundësia që refugjatët fillimisht në grupe të paorganizuara t’i drejtohen edhe kufirit greko-shqiptar pranë pikës së Kapshicës fillimisht, duke u nisur nga fakti se ndodhen më pranë kalimit drejt Italisë që është një vend i BE-së dhe i zonës Shengen.

“Ajo për të cilën kemi bërë thirrje për një kohë të gjatë është një strategji e përbashkët në mënyrë që të përballohet kriza e refugjatëve në Europë. Ky nuk është vetëm një problem grek, kështu që të gjitha shtetet europiane duhet të përpiqen për ta zgjidhur në një mënyrë të përbashkët”, deklaroi Stella Nanou, zëdhënëse e UNHCR Greqi.

Ndërkohë, në takimin me kryeministrin grek, Komisioneri i lartë i OKB-së për refugjatët, Filipo Granti që ka vizituar ishujt grekë dhe më pas Athinën, ka deklaruar se nuk duhet të kthehemi në një Europë të mbushur plot me kufij.

Gjithashtu, Aleksis Tsipras, në nje bisede urgjente telefonike i ka shprehur pakënaqësinë e tij kancelares Merkel në lidhje me moszbatimin e marrëveshjeve përsa i përket krizës së refugjatëve.

Kreyeministri grek ka kërkuar, dhe sipas burimeve qeveritare, ka marrë një pohim nga Berlini, për mbështetjen e Greqisë për zbatimin e marrëveshjeve nga shtetet anëtare të BE-së dhe për fillimin e menjëhershëm të premten të misionit të NATO-s në detin Egje që do të pengojë fluksin e madh të refugjatëve nga Turqia drejt Greqisë.

Top Channel