Kosovë, nata e parë e opozitës në tenda. Limaj: Solidarizim masiv

24/02/2016 00:00

Pranë vatrave të zjarrit të improvizuara e duke kënduar, kështu e kanë kaluar protestuesit opozitarë natën e parë në çadrat e ngritura para Qeverisë, në Prishtinë.

Deri në orët e para të mëngjesit, udhëheqësit e opozitës kanë qëndruar zgjuar e kanë biseduar me protestuesit. Kryetari i “Nismës për Kosovën”, Fatmir Limaj tregon për Top Channel sesi i ka lënë mbresa solidarizimi qytetar.

“Ka filluar një solidarizim i gjithanshëm i familjeve, i njerëzve që nuk kanë lidhje me opozitën. E veçanta është që nënat tona, sidomos të Prishtinës, kanë filluar të gatuajnë e t’u ofrojnë ushqime protestuesve”, tha Fatmir Limaj, kreu i “Nismës për Kosovën”.

Në orët e mbrëmjes pati qytetarë, që iu përgjigjën thirrjeve për të ndjekur edhe një ndeshje futbolli në shesh, por kryetari i Vetëvendosjes shpjegon se, solidarizimi nuk vjen vetëm nga kryeqyteti.

“Këtu nuk janë të gjithë të Prishtinës, por ka dhe nga qytete të tjera”, tha Visar Ymeri, udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje.

Kampi i opozitarëve në shesh bazohet mbi një strukturë që ka rregullat e veta. Ushqimi vjen me orar.

Një tendë është veçuar edhe për mediat. Ndërsa kujdestarët e protestës qëndrojnë gjatë të gjithë kohës në tendën e “Informacionit”, nga ku dhe caktohen çadrat për ata që duan të flenë. Edhe pse, duket se natën e parë gjumi nuk ka qenë përparësi.

Top Channel