Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni do të mbahen më 5 qershor të këtij viti. Vendimi për shtyrjen e datës së votimeve u miratua vetëm me votat e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, kurse deputetët e dy partive opozitare, LSDM dhe PDSH abstenuan.

Shefi i grupit parlamentar të LSDM-së, Goran Sugarevski tha se, nuk mund të ketë zgjedhje demokratike pa reformimin e mediave, çështje për të cilën, as gjatë bisedimeve maratonë të së martës, palët nuk kanë arritur marrëveshje.

“Nikola Gruevski nuk ka guxim që të përballet me të vërtetën dhe i gënjen qytetarët, sepse frikësohet nga zgjedhjet e lira. Pa listë të pastruar zgjedhore dhe pa reforma në media nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike”, tha Goran Sugarevski, shef i grupit parlamentar të LSDM-së.

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE-ja e drejtuar nga ish-kryeministri, Nikola Gruevski, vlerëson se opozita maqedonase po frikësohet nga zgjedhjet, për shkak se nuk gëzon mbështetje te qytetarët.

“Më 5 qershor, me apo pa ju në zgjedhje, qytetarët e Maqedonisë do të zgjedhin Parlamentin e ri, ndërsa ju mund të vazhdoni edhe më tutje me politikën tuaj destruktive dhe qyqare”, tha Ilija Dimovski, shef i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.

Pas negociatave maratonë gjatë ditës së martë, përfaqësuesit e faktorit ndërkombëtar kanë arritur të bindin vetëm VMRO-DPMNE-në, por jo edhe LSDM-në, për të mbështetur nismën e dy partive shqiptare, BDI dhe PDSH, për anulimin e vendimit për shpërndarjen e Kuvendit, që ndodhi pak para mesnate, kur ishte edhe afati i fundit, duke përcaktuar 7 prillin si datën të re për shpërbërjen e Parlamentit.

Ndërkohë, ministrat e LSDM-së në qeverinë teknike kanë tërhequr dorëheqjet që kishin depozituar të martën në mesditë dhe do të vijojnë të kryejnë funksionet e tyre deri në mbajtjen e zgjedhjeve.

Top Channel