Ministrit Krasniqi i djegin makinën. E pëson edhe këshilltari i Mustafës

24/02/2016 09:30

Automjeti i familjes së ministrit të Bujqësisë së Kosovës, Memli Krasniqi, është djegur para banesës së tij në Prishtinë, ndërsa ende nuk dihet se kush e ka kryer këtë vepër penale, e cila sipas burimeve policore është zjarrvënie e qëllimshme.

Në një postim në Facebook, vetë bashkëshortja e Memli Krasniqit ka shkruar për ngjarjen, duke e quajtur një ngjarje absurde djegien e makinës të cilën e përdor për të shoqëruar fëmijët çdo ditë.

Zyrtarja për informim në Policinë e Kosovës, Florije Ahmeti ka thënë përmes telefonit për Top Channel se nuk mund të flasin në këtë fazë për motivet e ngjarjes, pasi, sipas saj, prokurori po e heton rastin.

“Sot, rreth orës 1 të mëngjesit në Rrugën “Hajrulla Abdullahu” është djegur një automjet Passat dhe është dëmtuar një tjetër Renault Clio që ishte në afërsi. Policia është duke hetuar “, tha Ahmeti.

Zyrtarja për Informim në Policinë e Kosovës, Florije Ahmeti ka konfirmuar përmes telefonit për Top Channel djegien e automjetit të dytë brenda ditës së sotme.

Ajo ka thënë se, ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:10 në lagjen “Pejton” në Prishtinë, ndërsa automjeti i djegur ka qenë i tipit Hyundai.

Jozyrtarisht mësohet se vetura e djegur në mesditë ishte e bashkëshortes së zv.ministrit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, që është edhe këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel