“Shok”, optimizëm për “Oscar”

23/02/2016 00:00

Protagonistët e filmit “Shok” ndodhen në Los Angeles, ku mbrëmjen e kësaj të marte do të marrin pjesë në një ceremoni gala, që do të organizohet nga Akademia e çmimeve Oscar, ku do të shfaqet filmi me ngjarjet nga lufta e Kosovës.

Më pas, ekipi realizues merr pjesë në një seancë me pyetje-përgjigje mbi filmin. Duke treguar detajet e para të programit të javës së “Oscar”-it për filmin “Shok”, drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku u shpreh optimist se do të kthehen nga Hollivudi me “Oscar”-in e parë shqiptar.

Gjatë fluturimit për në Los Angeles, Zharku ka folur për Top Channel për pritshmëritë që kanë aktorët dhe ekipi i filmit “Shok” nga Akademia e çmimeve “Oscar”.

“Është kënaqësi, që filmi ‘Shok’ e ka dërguar Kosovën në këtë nivel kaq të lartë ndërkombëtar. Normale që i gjithë ekipi dhe të gjithë ne kemi dëshirë, që filmi ‘Shok’ të fitojë çmimin ‘Oscar’. Mirëpo edhe vet fakti i arritjes së filmit deri këtu është mjaftueshëm. E ka dërguar Kosovën në një nivel aq të lartë ndërkombëtar, saqë ambicia e këtyre artistëve na ka bërë të ndihemi shumë krenarë”, tha Arben Zharku, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Filmi “Shok”, një bashkëprodhim britaniko-kosovar, është nominuar për “Oscar” në kategorinë e filmave me metrazh të shkurtër “Live action short”.

“Shok” është i bazuar në një ngjarje të vërtetë gjatë periudhës së luftës në Kosovë, kur mizoritë serbe vënë në sprovë kufijtë e miqësisë mes dy djemve të vegjël.

Top Channel