Kosova, pa programe të avancuara për fëmijët me IQ të lartë

23/02/2016 00:00

Nxënësit e klasës së parë në shkollën “Hasan Prishtina”, në Prishtinë, po mësojnë shkronjën “Ll”, por bashkëmoshatarja e tyre Lejla Gashi, në të njëjtën orë mësimi lexon libra shkollorë.

Në moshën 6-vjeçare, testet e përcaktuan në 148 koefiçentin e saj të inteligjencës, ndaj ajo i tejkalon ritmet normale të programit mësimor. Edhe në lëndën e Matematikës, ndërsa mësohet mbledhja dhe zbritja, sfida e radhës për Lejlën është shumëzimi.

“Nuk është e lehtë me Lejlën. Është nxënëse shumë e mirë, kapaciteti i saj dallon shumë nga nxënësit normalë. Ndërkohë që ne zhvillojmë një shkronjë, Lejla është në gjendje të lexojë. E konsideroj edhe si ndihmëse për mua, që energjinë e saj ta shpenzojë edhe me mua, më ndihmon. Gjithë kohën më duhet të jap detyra të veçanta”, tha Albërie Rraci-Sejdiu, mësuesja e Lejla Gashit.

Për nxënësit me koefiçent të lartë inteligjence, si Lelja, Ministria e Arsimit në Kosovë nuk ka ndonjë program të veçantë. E vetmja adresë për ta mbetet projekti i kthyer në organizatë “ATOMI”, por aty punohet vetëm me grupmosha më të mëdha, nga klasa 8-12.

“Jemi në vitin e dytë të zbatimit të asaj që e quajmë ‘shkolla plus’. Është një aktivitet ekstrakurikular për këta nxënës, i cili zhvillohet gjatë të shtunave, gjatë gjithë vitit, në kuadër të së cilës ofrohen 16 kurse të ndryshme, të cilat ligjërohen nga profesorët më të mirë universitarë që kemi në Kosovë”, thotë Jusuf Thaçi, menaxher i projektit “ATOMI”.

Organizata “ATOMI” ka identifikuar 170 fëmijë me shkallë të lartë intelegjence, gjysma e të cilëve ndjekin “shkollën plus”.

Top Channel