Maqedoni, dorëhiqen dy ministra. BDI kërkon shtyrjen e shpërbërjes së Parlamentit

23/02/2016 00:00

Dy ministra dhe 3 zëvendësministra të LSDM-së kanë depozituar në qeveri dorëheqjet nga funksionet e tyre dhe kanë kërkuar që ato të miratohen edhe nga Kuvendi gjatë ditës së martë, nëse mbetet në fuqi vendimi për shpërbërjen e Parlamentit ditën e mërkurë.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, i cili nuk ka sqaruar sesi do të veprojë ai dhe kolegët e tij, nëse gjatë kësaj të marte tërhiqet vendimi për shpërbërjen e Parlamentit më 24 shkurt.

“Në pajtim me marrëveshjen e Përzhinës, Qeveria në të cilën marrim pjesë u formua me qëllim organizmin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, për sa kohë përmbushen të gjitha pikat e kësaj marrëveshjeje. Në Maqedoni nuk ka kushte për zgjedhje të lira dhe demokratike më 24 prill. Kjo është konstatuar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe nga faktori ndërkombëtar, nga BE-ja dhe SHBA-të”, tha Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme.

Ndërkohë, një ditë para se të hyjë në fuqi vendimi për shpërbërjen e Kuvendit, në Shkup ka zbritur treshja e deputetëve të Parlamentit Europian, Ivo Vajgl, Eduard Kukan dhe Richard Howitt. Ata kanë nisur takime të ndara me krerët e 4 partive kryesore, VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe PDSH, për të zhbllokuar krizën politike, pas vlerësimit të ambasadorëve të BE-së dhe SHBA-ve, se nuk ka kushte për zgjedhje demokratike më 24 prill.

Nga ana tjetër, deputetët e dy partive shqiptare, BDI dhe PDSH, kanë ngritur një nismë të përbashkët për tërheqjen e vendimit për shpërbërjen e Kuvendit, për t’i hapur rrugë shtyrjes së zgjedhjeve të parakohshme, siç kërkohet nga faktori ndërkombëtar. Për t’u miratuar kjo nismë, nevojiten votat e të paktën 62 deputetëve, por ende nuk dihet nëse kryeparlamentari Trajko Veljanovski do të thërrasë seancë urgjente për të vendosur në rend dite këtë kërkesë.

Top Channel