Presidencialet amerikane nën lupën e njerëzve të modës

23/02/2016 00:00

Kravatë e kuqe apo blu? Fustan, apo më mirë një kostum fund e xhaketë? Cili është mesazhi që u përcjellin votuesve të tyre kandidatët e presidencialeve të 2016-s në Amerikë?

Kur Hillary Clinton u shfaq në debatin e 6 televiziv në Millwaukee të Wisconsinit me një xhaketë të verdhë mëndafshi, komentuesit e modës vërshuan në mediat sociale, duke e krahasuar veshjen e saj sa me zogun e madh të verdhë të një seriali për fëmijë, aq me bufetë e kuzhinave të viteve ’70.

E vërteta e jetës politike të ditëve tona është se, stili i një kandidati dhe përzgjedhjet që ai bën, do të kritikohen po aq shumë sa edhe politikat e tij. Çizmet e kaubojit ts Ted Cruzit me lëkurë struci, kapelet e bejzbollit të Donald Trumpit me shkrimin “Bëjeni Amerikën sërish madhështore”, apo pulovrat e Marco Rubios me zinxhir në fyt, janë tabelë qitjeje për ata që bëjnë modë.

Ekspertët e stilit, megjithatë mendojnë se zgjedhjet e kandidatëve nuk janë aksidentale. Sipas tyre, çdo hap i hedhur në këtë drejtim, apo çdo vendim i marrë për të mos ndjekur trendin e përgjithshëm të modës, shqyrtohet me shumë kujdes.

“Hillary Clinton po përdor një gamë të gjerë ngjyrash. Nuk e di kush e këshillon të qëndrojë te tonet e ndezura, por e ka një qëllim. Në përgjithësi, për shembull, ngjyrat e gurëve të çmuar i japin një gruaje një pamje më të fortë, më të pushtetshme”, tha Patsy Cisneros, specialiste imazhi.

Për dekada të tëra, zgjedhja e ligjvënësve dhe zyrtarëve në këtë vend ka qenë kostumi i errët me këmishë të bardhë e një kravatë të kuqe të fortë, apo blu për të krijuar rreth personit një aureolë autoriteti. Megjithatë, edhe ndryshimet më të vogla të kodit të veshjes mund të përcjellin mesazhe, siç është ai ai atyre që nuk bëjnë politikanin në çdo moment të jetës.

Top Channel