Tirana akuzon gjyqtarin për humbjen me Skënderbeun

23/02/2016 00:00

Klubi i Tiranës akuzoi arbitrin Andi Koçi si shkaktari i humbjes së të hënës në Korçë, ku bardhebluve nuk iu dha një 11-metërsh.

Përmes një deklarate për mediat, drejtuesit e Tiranës flasin për vendime arbitrare, të qëllimshme, tendencioze që dëmtuan jo vetëm sportivisht klubin, skuadrën dhe tifozerinë e Tiranës.

“Gjyqtari Andi Koçi përcaktoi rezultatin e ndeshjes me dy vendime të turpshme. Në mënyrë të përsëritur, KF Tirana penalizohet qëllimisht në përballjet me Skënderbeun. Në katër ndeshjet e fundit, në dy raste gjyqtari Andi Koçi dhe në dy raste gjyqtari Enea Jorgji kanë përcaktuar rezultatin e ndeshjes. KF Tirana denoncon publikisht nëpërmjet kësaj deklarate për shtyp këto ngjarje të përsëritura”, thuhet në deklaratë.

Bardheblutë do të kërkojnë përjashtimin e tij dhe gjyqtarë të huaj ndeshjen e ardhshme ndaj Skënderbeut.
 
“KF Tirana do të kërkojë zyrtarisht pranë Federatës Shqiptare të Futbollit përjashtimin e gjyqtarit Andi Koçi përgjithmonë nga futbolli, do të kërkojë që gjyqtari Enea Jorgji të mos gjykojë më në ndeshjet e Tiranës, si dhe do të kërkojë që në takimet e radhës me Skënderbeun të gjykohen nga gjyqtarë të huaj”, vijon deklarata.

Top Channel