Totti, një tjetër kapiten me fund të hidhur

23/02/2016 00:00

Më 20 shtator të 2013, Totti rinovonte kontratën me Romën dhe nga njëra festë në tjetrën e nëpër deklarata për shtyp theksonte sesi skuadra e jetës së tij e trajtonte si mbret, ndryshe nga rasti i Juventusit me Del Pieron.

Por sot, kapiteni legjendar i verdhekuqve është përjashtuar nga trajneri Spalletti dhe mes palëve ka patur një lumë akuzash e kundërakuzash publike. Në daljet e tij, Totti ka folur për respekt të munguar nga ana e trajnerit karshi tij, ndërsa pret që një shenjë respekti ta marrë nga klubi, që në këtë përballje, të paktën publikisht ka zgjedhur heshtjen.

Sipas mediave italiane, Totti, që i skadon kontrata në fund të këtij sezoni, me gjasa do të ketë një fund karrierë jo fort të lumtur me fanelën që mbajti veshur për vite me radhë dhe ky nuk do të ishte rasti i parë dhe as i fundit.

Lista e ‘flamujve të flakur tutje’ është e gjatë. Më 24 maj të 2009, pas 24 viteve tek Milani, Paolo Maldini vendos të varë këpucët në gozhdë, i zhytur në trofe kombëtarë e ndërkombëtarë. Megjithatë, një grup i tifozerisë ultras e thumbuan për një deklaratë të lëshuar prej tij, ku i kishte quajtur ata mercenarë.

“Kampion i padiskutueshëm në fushë, por jashtë saj të mungonte respekti për ata që të pasuruan. Për 25 vitet e karrierës tënde të lavdishme, ne që na quajte mercenarë të falenderojmë!”, ishte njëra prej banderolave të shumta të shpalosura atë ditë, ku kapiteni parakaloi për herë të fundit para tifozëve, pjesa më e madhe e të cilëve e duartrokitën.

Pas kësaj dihet se çfarë ndodhi. Që nga ajo kohë kanë kaluar thuajse 7 vite dhe për Maldinin nuk është gjetur një vend mes drejtuesve të Milanit, qoftë edhe tek ekipet zinxhir.

Më e zbutur ishte lamtumira e Javier Zanetti-t. I vetmi peng i kapitenit legjendar të Interit dhe i tifozëve zikaltër është vendimi i Mazzarri për të mos e aktivizuar asnjë minutë në derbin e fundit të karrierës. Këtë, tifozët zikaltër nuk ja falin kurrë ish-trajnerit të tyre, ndërsa vetë argjentinasi aktualisht është zv.president i klubit.

Përtej Serisë A, flamuj të flakur tutje pa mëshirë gjen plot dhe tre mund të numërohen në dy dekadat e fundit vetëm tek Reali. I pari ishte Fernando Hierro, qendërmbrojtësi që ‘u dëbua’ në 2003 nga madrilenët pas 14 viteve me fanelën ‘merengues’ dhe më e çuditshmja, një vit pas fitores së Ligës së Kampionëve. 

Më pas Raul. Sulmuesi legjendar i Realit u detyrua të kalojë tek Schalke pasi në Madrid iu mbyllën të gjitha dyert e rinovimit. Të njëjtin fat pati edhe portieri Casillas, telashet e të cilit nisën me Mourinho-n që e la në stol, e më pas edhe fërshëllimat e tifozëve pas disa gabimeve të tij në fushë. Që të gjitha këto, e detyruan 34-vjeçarin që të zgjedhë Porton në Portugali.

Top Channel