FA Cup, United kalon në çerekfinale

21/02/2016 00:00

Manchester United lë pas rezultatet zhgënjyese të ndeshjeve të fundit duke u rikthyer te fitorja.

“Djajtë e kuq” siguruan kualifikimin në çerekfinale të FA Cup pasi mundën në raundin e 1/8-ve me rezultatin e pastër 0-3 në transfertë skuadrën e kategorisë së tretë, Shrewsbury.

Në stadiumin “New Meadow”, formacioni i drejtuar nga Louis Van Gaal gjeti avantazhin në minutën e 37-të me qendërmbrojtësin Chris Smalling i cili shfrytëzoi në maksimum një top të marrë nga francezi Morgan Schneiderlin.

Në çastet e fundit të pjesës së parë, Juan Mata ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje standarde duke e çuar në 0-2 rezultatin. Për të vulosur kualifikimin e Manchester United në fazën çerekfinale të FA Cup mendoi Lindgard që në të 61-n i asistuar nga spanjolli Ander Herrera realizoi edhe golin e tretë.

Në minutën 73-të shtylla i mohoi golin sulmuesit të talentuar të miqve Keane. Në “New Meadow Stadium” gjithçka u mbyll me shifrat 0-3.

Në çerekfinalet e FA Cup Manchester United do të sfidojë West Hamin-in, ndaj të cilëve do të luajë në “Old Trafford”.

Top Channel