“Shokët” nisen për në SHBA

22/02/2016 00:00

Aktorët, ekipi realizues i filmit “Shok” dhe drejtues të Qendrës Kinematografike të Kosovës u nisën drejt Hollivudit. Më 28 shkurt, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Oscar”, “Shok” konkurron në kategorinë e filmave të shkurtër dhe shpreson të pëmbushë ëndrrën e shumë brezave të kinematografëve shqiptarë, për të parën statuetë “Oscar” në histori.

Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku ka publikuar në Facebook dy fotografi në fillim të udhëtimit drejt Los Angeles, në të cilat shihet një pjesë e ekipit të aktorëve të filmit.

Ekipi i filmit “Shok”, që është nisur për në ceremoninë “Oscar”, udhëhiqet nga drejtori i QKK-së, Arben Zharku, ndërsa bashkë me ta shihen edhe aktorët Lum Veseli, Andi Bajgora, Aurita Agushi, Astrit Kabashi dhe Besnik Krapi.

Top Channel ka mësuar se, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Oscar”, nga i gjithë ekipi do të mund të hyjnë vetëm regjisori i filmit, Jamie Donoghue, dhe producenti Eshref Durmishi.

Në këtë film trajtohet miqësia e dy të miturve në kohë të vështira lufte në Kosovë, është i bazuar në një ngjarje të vërtetë, një pjesë e së cilës është ngjarja personale e producentit dhe aktorit, Eshref Durmishi.

Edhe pse Qeveria e Kosovës ka dhënë 70 mijë euro për ta mbështetur promovimin e filmit “Shok”, Ministria e Kulturës nuk ka organizuar ndonjë aktivitet në Prishtinë për ndjekjen “live” të ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Oscar”, më 28 shkurt.

Top Channel mëson se, një aktivitet për ndjekjen e “Oscar”-it do ta organizojë Komuna e Prishtinës, por ende nuk dihen detajet e tij.

Top Channel