Fitojnë Skënderbeu e Partizani, dy shkodranë vendosin supersfidat e Superiores

22/02/2016 19:55

Java e 22 e Kategorisë Superiore ka kryqëzuar pretendentët e futbollit shqiptar në 2 supersfida, me kampionët e Skënderbeut që u përballën me Tiranën në Korçë dhe Partizani i vendit të dytë priti në “Qemal Stafa” Kukësin. Megjithatë, ata që triumfuan në këto përballje ishin dy ekipet e para të renditjes.

Skënderbeu fitoi me një gol të Salihit ndaj Tiranës, ndërsa po me të njëjtin rezultat Partizani mposhti Kukësin.

Në Korçë sfida ishte mbërthyer në barazim pa gola deri në minutën e 75, kur arbitri akordoi për një 11-metërsh në favor të vendasve, të cilin e mori përsipër për ta ekzekutuar Salihi, duke mposhtur portierin e Tiranës. Goli i shkodranit ishte i vetëm në këtë ndeshje, duke i dhënë 3 pikë mjaft të rëndësishme Skënderbeut në garën për titullin e radhës kampion.

Një tjetër takim mjaft interesant u zhvillua në të njëjtën orë në “Qemal Stafa”, ku Partizani i vendit të dytë priti Kukësin e drejtuar nga Klodjan Duro. Edhe ky takim u mbyll me një gol të vetëm, ku dhe në këtë ndeshje ai u shënua nga një shkodran, Xhevahir Sukaj, 5 minuta pasi kishte nisur pjesa e dytë.

Pas këtyre dy ndeshjeve situata në renditje për dy kryesuesit mbetet e njëjtë, Skënderbeu i pari me 52 pikë, ndërsa me 4 pikë pas tij vjen Partizani. Bardheblutë e Tiranës edhe pse u mundën në Korçë qëndrojnë në vendin e tretë me 38 pikë.

Top Channel